Kryetari i AAK-së

Haradinaj kujton masakrën e Deçanit e Klinës: Kosova në NATO është nderimi më i madh që mund të bëjmë për të rënët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se liria e fituar me shumë dhembje e humbje, do të jetë e plotë atëherë kur Atdheu është i sigurt.

Kështu ka thënë Haradinaj në kujtim të të vrarëve të datës 29 mars të vitit 1999 në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës.

“Dita e sotme, na rikthen kujtimin e 29 marsit të kobshëm të vitit 1999. Atë ditë në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe Poterq të Klinës, nga sistemi kriminal shtetëror i Serbisë, u ekzekutuan pa mëshirë dhjetëra shqiptarë të paarmatosur, pa i kursyer as të miturit dhe pleqtë”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Po atë ditë, mora lajmin e hidhur për rënien e 14 bashkëluftëtarëve, në një përballje heroike me pushtuesin në Shishman të Bokës. Djem të zotë, luftëtarë të dalluar, një pjesë të të cilëve i njoha në frontet e luftës. Shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo liri e fituar me shumë dhembje e humbje, do të jetë e plotë atëherë kur Atdheu është i sigurt”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është dhurata më e mirë për brezin e sotëm.

“Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dhurata më e mirë për brezin e sotëm dhe ata qe vijnë. Është nderimi më i madh që mund të bëjmë për të rënët. 

Lavdi e përjetshme atyre që me gjak e shkruan historinë tonë”, ka përfunduar Haradinaj.