Kreu i AAK-së

Haradinaj kujton dëshmorët e brigadës 131 “Adrian Krasniqi”: Istogu të ndihet krenarë për bijtë e vetë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e Istogut në Ditën e Dëshmorëve të kësaj komune. 

Haradinaj ka thënë se Istogu duhet të jetë krenar me bijtë e vetë që luftuan për lirinë e Kosovës.

“Istogu duhet të ndihet krenar me bijtë e vetë të cilët në luftën e fundit për liri treguan heroizëm të vërtetë se si duhet atdheu. Në këtë ditë të dëshmorëve të kësaj komune, të cilët ranë nën emblemën e brigadës 131 “Adrian Krasniqi”, kujtojmë veprën heroike të tyre, ndër ta mësuesin Mustafë Blakaj, Abedin Dervishaj, Bujar Visoqi, Ismet Bicaj, Izet Shatri, Muharrem Vuthaj, Nezir Mujaj, Shaqir Tahiraj, Skender Maraj dhe Xhafer Mehmetaj që sot shënojnë përvjetorin e përjetësisë dhe vazhdon me dëshmorë tjerë deri në përfundim të luftës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se heroizmi i të rënëve është udhërrëfyesi më i mirë për ne.

“Këta heronj nëpër shumë beteja e nderuan emrin e heroit Adrian Krasniqi e gjithë kombin. Heroizmi i tyre është udhërrëfyesi më i mirë për ne, në angazhimet tona për shtetin siç e ëndërruan ata”, është shprehur Haradinaj.