Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka mohuar raportimet e mediave gjatë ditës së djeshme se është rritur kërkesa për migrim nga ana e qytetarëve.

Haradinaj e ka krahasuar numrin e kërkesave për migrim jashtë vendit gjatë vitit 2018, ku ka thënë se janë regjistruar 3515 kërkesa, duke e krahasuar këtë numër me atë të vitit 2015 kur kishte ndodhur edhe eksodi i qytetarëve, me ç’rast emigruan 67.545 qytetarë, transmeton Ballkani.info.

Sipas kryeministrit, këto raporte tregojnë rënie të lartë të migrimit dhe se qytetarët e Kosovës respektojnë parimet bazë të lëvizjes së lirë. /Ballkani.info

Postimi i plotë:

Qytetarë të nderuar, Në disa media po jepen të dhëna të pasakta lidhur me migrimin e popullsisë së Kosovës, kryesisht të rinjve tanë.

Statistikat e fundit reale të migrimit, tregojnë se Kosova nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 3515 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018, krahasuar me vitin 2015, kur kishin emigruar 67.545 persona.

Ndërsa, në vitin 2018, janë rikthyer vullnetarisht 727 qytetarë të Kosovës.

Kjo tregon qartë rënie të lartë të migrimit dhe se qytetarët e Kosovës respektojnë parimet bazë të lëvizjës së lirë.

Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave.