Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për situatën me energjinë elektrike në Kosovë, ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e kësaj situate.
Haradinaj e ka quajtur të paaftë Qeverinë Kurti, duke thënë se kjo është Qeveria më e keqe që e ka pasur Kosova.
“Kosova ka filluar qeverisjen me një shumicë, pra qeverisje më të madhe ndonjëherë që nga paslufta me Vetëvendosjen që ka fituar mbi 50 përqind të votave. E ka fitue qeverinë ma të keqe ndonjëherë. Një qeveri e cila nuk ka ditë të udhëheqë me çështje të sigurisë. Një qeveri e paaftë në politikë të jashtme, qeveria e parë që ka mbërri me kriju mosbesim të skajshëm me shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria e parë që ka mbrri me e dorëzu Kosovën në duart e disa zyrtarëve evropian në çështjen e saj më të ndieshme. Një qeveri e cila ka pengu me çdo mjet e çdo mënyrë investimet në energji”, ka thënë Haradinaj në seancën e Kuvendit.
Hardinaj ka kërkuar edhe heqjen e orës policore me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë për festat e fundvitit.
“Së fundmi kjo qeveri diasporën tonë, ata që i ka ndihmu me ardhë në pushtet po i ndihmon me pritjen më të keqe, me prite të gjata në kufi dhe me orë policore. Imagjinoni qeverinë e Kosovës e cila edhe kohën sa qëndrojnë në vend ua vështirëson me orën policore”, ka thënë Haradinaj.







