Haradinaj: Katër vitet e ardhshme Gjini do të na ketë në krah për çdo përgjegjësi që merr përsipër

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, sot ka qëndruar në Gjakovë, ku me këtë rast është bërë promovimi i Programit Zgjedhor, kandidatit për kryetar komune Ardian Gjini dhe kandidatëve për Kuvendin Komunal.

“Gjakova është shembulll për shumë vlera, për kulturë, për atdhedashuri si dhe për sakrificës për liri. Po ashtu ka njerëz të zot në Gjakovë dhe Ardiani këto vlera i prezanton në mënyrë të denjë” – tha Haradinaj. Ai vazhdoi më tutje duke sqaruar se “e fituam lirinë me luftë, por edhe pas luftës na u desht me mbrojt luftën tonë. E në këtë drejtim e fituam të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ai e uroi kryetarin e komunës  Ardian Gjinin, i cili rikandidon përsëri për të parin e komunës së Gjakovës si dhe kandidatët për asamble, që po e kërkojnë besimin e qytetarëve.

Haradinaj tha se është nder i madh me përfaqësu vendin tënd nga ata që ta besojnë ty atë përgjegjësi.

“Në këtë legjislaturë ju keni qenë të suksesshëm dhe keni qenë fuqia e Aleancës. Shtëpia jonë në Gjakovë na ka bërë të mburremi dhe na ka nderuar, për këtë e falënderoj kryetarin Ardian Gjini i cili po e kërkon besimin e qytetarëve edhe për një mandat”, tha Haradinaj.

Tutje Haradinaj tha se Ardian Gjini, në katër vitet e ardhshme do ta ketë mbështetjen e të gjithëve për qeverisje.

“Katër vitet e ardhshme Ardiani do të na ketë në krah për çdo përgjegjësi dhe punë që do ta merr përsipër. Po ashtu me Ardianin do t’i kemi afër edhe vendet aleate”.