Haradinaj: Jemi të hapur për qeveri gjithëpërfshirëse, heqim dorë nga ministri po të jetë nevoja

Shefi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se partia e tij është e hapur për një qeveri gjithëpërfshirëse. Haradinaj ka thënë se kjo gjë do të ishte një shans i mirë për PDK-në, ndërkohë që ka thënë se do të ishte lajm i mirë po të përfshihej edhe Vetëvendosje. Ai ka thënë se AAK do të ishte në gjendje që të heq dorë nga postet ministrore për qeverinë e unitetit.

“Shans e mirë për PDK-në. Do të ishte lajm i mirë që të ishte edhe VV brenda institucioneve. Kërkohet unitet. Nuk duhet parë kush sa pushtet ka. Në Aleancë nuk ka ndonjë problem për qeveri gjithëpërfshirëse”, tha ai. Haradinaj tha se Kosovës i duhet uniteti tani.

“Na duhet uniteti jo vetëm për ato që po ndodhin me Specialen, por edhe për marrëveshjen finale me Serbinë. Nuk e kemi detyrimisht që të arrijmë të posti i presidentit”, theksoi ai.