Haradinaj: Ishte guxim t’i thuhej ‘stop’ atyre që u mobilizuan për ta ndarë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nëse Kosova nuk arrin me mbajt taksën ndaj Serbisë, nuk do të mund ta mbajë as shtetin, pasi vetëm më mbajtjen e taksës mund të arrihet njohja reciproke.

I pari i Qeverisë dhe i AAK-së, e ka bërë këtë deklaratë në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së në degën e saj në Vushtrri, ku kryetar i degës është zgjedhur, Nehat Maxhuni.

Haradinaj veç takës, ka theksuar se ishte guxim i madh që t’i thuhet jo të gjithë atyre që kishin bërë plane për ndarjen e Kosovës. Po ashtu theksoi se guxim ishte edhe formimi i Ushtrisë së Kosovës.

“Guxim ka qenë me krijuar Ushtrinë e Kosovës. Guxim, pra me krijuar komponenten që i ka mugu infrastrukturës së sigurisë, sistemit të sigurisë sonë, me krijuar ushtrinë. Guxim ka qenë kur janë mobilizuar plotë me nda Kosovën, me i thanë stop. Me argumentuar, e me biseduar, me mbrojt një të drejtë tonën, të tërësisë territoriale, të integritetit territorial, të kufijve tonë, të trashëgimisë në breza dhe të asaj që duhet me ua lënë fëmijëve. Guxim ka qenë me marrë Ligjin e Trepçës dhe me e zbatuar në praktikë. Trepça nuk është sot një kompani e zhvilluar, por sot është e gatshme me u nis me gjet partnerë, me gjet investime”, tha ai.

Haradinaj ishte shumë kritik edhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë heqjen e takës, duke pohuar se nëse hiqet taksa, nuk do të arrihet njohja nga Serbia.

“Guxim po ashtu ka qenë me i thanë Serbisë se Kosova është shtet, si çdo shtet tjetër. I thanë nuk mundesh me më rreziku ekzistencën dhe me pas tregun tonë, me i vu taksë. Guxim është më i thënë se ky është shtet. Nuk është taksa taksë, por taksa është shteti, po s’munde me mbajt taksën, nuk ke me mundur me mbajt as shtetin. Nëse nuk ke me mundur me mbajt taksën deri në njohje, nuk ke me marrë njohjen e dy shteteve, është njohje reciproke, të dy shteteve në pozita të njëjta, por ke me marrë një marrëveshje të atij të fortit e të zotit, e të tanën që nuk mund të rrinë në këmbë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se dëshiron që AAK të jetë forcë politike vendimtare në Vushtrri, dhe për këtë si krahasim mori Komunën e Suharekës, ku siç tha në fillim i kishte vetëm 4 për qind të elektoratit, por tani AAK qeverisë me këtë komunë.

Ai po ashtu porositi të pranishmit se jo të gjithë ia duan të mirën vendit dhe punojnë për vendin, duke i këshilluar se të mos e marrin traditën e punës së viruseve. Ai po ashtu i porositi që AAK në Vushtrri mos të vë vija të kuqe me asnjë parti.

I sapo zgjedhuri për kryetar të degës së AAK-së në Vushtrri, Nehat Maxhuni falënderoi të pranishmit për besimin që i kanë dhënë dhe pohoi se ky besim do të jetë një sfidë për të.

“Për mua është një privilegj dhe krenari e madhe të jam udhëheqësi i juaj për katër vite, mirëpo njëkohësisht edhe një sfidë, betejë, angazhim, punë, që besoj se së bashku me ju, do t’ia arrimë qëllimit”, tha ai.

Fjalimi i plotë: