Kryeministri

Haradinaj ia rritë buxhetin vetes për 1.8 milion euro

Buxheti i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit pritet të jetë më i lartë për 1.8 milionë euro në vitin që vjen. Sipas kategorive, u planifikuan 5 milionë euro më shumë për të blerë mallra dhe shërbime përderisa investimeve kapitale buxheti iu zvogëlua për 5 milionë euro.

Me projekt-buxhetin për vitin 2019, Zyra e Kryeministrit do të këtë një buxhet prej 18 milionë e 434 mijë e 39 euro.

Më shumë se gjysma e këtij buxheti apo mbi 9.9 milionë euro do të shpenzohen për mallra dhe shërbime.

Kjo kategori e shpenzimeve merr pjesë në buxhetin e përgjithshëm 53.9 për qind. Pas kësaj kategorie të shpenzimeve radhiten shpenzimet që shkojnë për paga dhe mëditje në vlerë prej 4.9 milionë euro apo 26.6 përqind. Me 16.3 përqind apo mbi 3 milionë euro bëjnë pjesë shpenzimet komunale.

Sipas këtij draft-buxheti, numri i të punësuarve në Zyrën e Kryeministrit pritet të rritet  për 22 persona më shumë në krahasim me numrin prej 593 të punësuarve ekzistues.
Në vitin 2019-të, Zyra e Kryeministrit do t’i ketë të punësuar 615 persona.

Në raport me buxhetin e vitit 2018-të, kategorisë së pagave dhe mëditjeve u janë shtuar 757 mijë e 353 euro më shumë buxhet, për mallra dhe shërbime mbi 5.3 milionë euro,  mbi 1 milion euro  janë shtuar te subvencionet dhe transferet, përderisa për investime kapitale buxheti i paraparë për vitin është zvogëluar mbi -92 përqind.

Vlerësimet e dala nga ky projekt-buxhet tregojnë  se edhe në vitin 2020-të  do të ketë një rritje prej 1.8 përqind në raport me vitin 2019-të.