Njëri nga komandantët e UÇK-së, aktualisht shef i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar pas kërkesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që të hapen arkivat e UÇK-së.
“UÇK është transparente dhe s’ka çka mshefë në arkiva, aty është vetëm e vërteta e luftës sonë çlirimtare. Autostradat e Serbisë mbi eshtrat e qytetarëve shqiptarë të vrarë nga serbët, janë arkivi i turpit shtetëror millosheviqian”, ka shkruar Haradinaj.
Vuçiq ka thënë dje, pas takimit në Bruksel me kryeministrin Hoti, se është folur për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për ekonominë.
“Ne kemi qenë të gatshëm të pranojmë çdo lloj të dialogut”, ka thënë Vuçiq pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
“Ne kemi thënë se Serbia nuk do të mbrojë askënd dhe se jemi të gatshëm të përgjigjemi në secilën kërkesë të shqiptarëve. Nëse duan të tregojnë në hartë që ka vendvarrim të shqiptarëve, ne do të tregojmë se a ka në atë vend ndonjë gjë apo jo. Këtë të drejtë e kemi kërkuar edhe ne prej tyre. Pasi ne deri më tani nuk kemi pasur qasje në vendet si Koshare”, ka theksuar Vuçiq. /Ballkani.info/







