Kryetari i AAK-se

Haradinaj i reagon Hekuran Muratit: Keni nervozë nga sondazhet, keni marrë tatëpjetën

Kryetari i AAK-së, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Mruati, lidhur me deklaratën e këtij të fundit se në kohën e Qeverisë Haradinaj ka pasur keqpërdorime në shpronësimet e tokave për ndërtimin e autostradës Pejë-Prishtinë. Haradinaj i ka shtuar disa pyetje ministrit Murati dhe ka thënë se VV ka rënë në sondazhe dhe po vazhdon të bie si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë dhe mospërmbushjes së premtimeve.

Murati ka thënë se kanë gjetur shkelje në vendimin e Qeverisë “Haradinaj”, për shpronësimet në segmentin rrugor Kijevë-Zahaq, pjesë në të cilën është paraparë që të kalojë autostrada e Pejës, shkruan Gazeta Express. Murati tha se janë keqpërdorur gjithsej 49 milionë euro në falsifikime të dokumenteve të nevojshme për shpronësim.

Haradinaj i ka reaguar Muratit duke thënë se këto janë etiketime të ulëta. Ai ka shtuar më tutje duke i thënë atij se Qeveria Kurti po sjell gazin rus në Kosovë e po e bojkoton atë amerikan.

“Ministër Murati, etiketimet e ulëta nuk të shpëtojnë as ty e as shefin tënd nga dështimet e njëpasnjëshme!Tregoju qytetarëve ministër, pse po e bojkoton gazin amerikan e po e sjell gazin rus në Kosovë!?”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka përmendur edhe menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti, në një kohë kur Kosova po shënon numra rekord të rasteve të reja dhe të vdekurve. Haradinaj ka kritikuar qeverinë që nuk po i mbështet sektorët publikë të ciëlt po përballen në front me pandeminë.

“Tregoju qytetarëve se nuk keni blerë asnjë vaksinë, dhe e keni bërë Kosovën “kampione botërore” për keqmenaxhim të pandemisë! Trego ministër, pse nuk po bëni asnjë angazhim shtesë në situatën më të rëndë e me numrin rekord të vdekjeve këto ditë? Biles as shtesa për personelin shëndetësor e as për policinë?!”, shtoi ai.

Tutje Haradinaj përmendi edhe premtimet të cilat nuk i ka përmbushur Qeveria Kurti dhe ka hedhur kundër-akuza për keqpërdorime me tenderë.

“Tregoju qytetarëve, se përpos që hoqët taksën, nuk vendoset reciprocitetin, Serbisë ia hoqët edhe pengesën e fundit, taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, për të dëmtuar prodhimin tonë vendor! Ende nuk keni treguar pse e keni angazhu Nexhat Krasniqin, famëkeqin e tenderëve!? Trego për keqpërdorimet e buxhetit, për dhjetëra kontrata pa shpallje të nënshkruara, për anulim të projekteve kapitale!? Lista e përgjigjeve e sqarimeve që duhesh me ia dhanë qytetarëve është shumë e gjatë. Ne u detyruam t’i rikujtojmë disa! Dhe për fund, sqaroju qytetarëve që auditimi i brendshëm bëhet nga ti dhe punëtorët tuaj, ku shkruani çka ju teket dhe nuk është auditim profesional nga Auditori Gjeneral!Sigurisht që keni nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, që tregojnë se e keni marrë tatëpjetën. Fatkeqësisht nga të bëmat tuaja, po e pëson vendi dhe qytetarët”, ka përfunduar Haradinaj në statusin e tij.