Haradinaj i qon ‘selam’ Thaçit: Le ta harron dikush që kemi me dhënë tokë për njohje nga Serbia

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, thotë se çështja e marrëveshjes me Serbinë është e hapur dhe se ajo duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues që ka Kosova.

“Proceset e shtetndërtimit nuk janë të lehta, nëse kthehemi në1912 e kuptojmë që nuk është i lehtë themelimi dhe te Amerika e shohim që nuk e kanë pasur të lehtë themelimin e shtetit”.

“Ajo që ka mbetur e hapur është marrëveshja me Serbin por që duhet të ndodh në kufijtë ekzistues të Kosovës. Ne nuk hapim kufij, ne qëndrojmë në hapat e Kosovës së 17 shkurtit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj këto deklarata i bëri në homazhet tek varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.

“Le të harron gjithkush që kemi me dhanë troje e kufij, ne nuk e kemi harru marrëveshjen e Demarkacionit, por e kemi ra dakord me me korrigju atë marrëveshje. Kufiri është në Çakorr dhe kullë, ne me Serbin duhet me u njoft me kufijt ekzistues”, tha Haradinaj.

“Ne i njohim ata kufij, NATO na njeh me ta dhe i mbron këta kufij. Ne modelin e Bosnjës nuk do ja preferojmë askujt të jetojë në një Republikë brenda një shteti. Njohja reciproke, me kufijt ekzistues, por jo me çmimin e Republikës Srpska”, tha Haradinaj.