Haradinaj i hyn seriozisht garës për kryetar të Prishtinës, ka hapur edhe selinë e Shtabit Zgjedhor

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj e ka nisur me shumë seriozitet garën për të parin e Prishtinës, edhe pse zgjedhjet lokale do të mbahen pas disa muajve.

Haradinaj ka mobilizuar Shtabin Zgjedhor, ndërsa selinë e tij e ka vendosur në njërën nga lagjet kryesore të kryeqytetit, në Pejton.

Haradinaj në zgjedhjet e fundit nacionale e kishte fituar postin e deputetit, por dha dorëheqje për t’i hyrë garës për kryetar të Prishtinës.

Janë bërë disa ditë që Haradinaj ka filluar një tur takimesh me qytetarë gjithandej Prishtinës.

Kujtojmë se, së fundi në një intervistë për njërën nga televizionet tona, njëri ndër premtimet që bëri bujë në mediat kosovare, ishte zotimi i Haradinajt për shpërblim në vlerë prej 500 euro për fëmijë të sapolindur, në rast se e merr postin e kryetarit të kryeqytetit.