Kuvendi Komunal i Vitisë, dy muaj më parë kishte dalur me një deklaratë, ku kishte kërkuar në emër të qytetarëve mundësimin e lidhjes së Komunës së Vitisë me autostradën “Arbër Xhaferi”.

Ata kishin kërkuar takime me kryeministrin Haradinaj, kryeparlamentarin Veseli, përfaqësuesit regjional dhe kishin paralajmëruar protesta në rast të mos përmbushjes së kërkesave, shkruan Ballkani.info.

Disa javë më vonë, këto protesta kishin ndodhur dhe kishin eskaluar në një masë kur protestuesit nuk iu kishin bindur urdhërave të Policisë së Kosovës, dhe kishte pasur edhe përleshje mes palëve.
Në anën tjetër, sot Haradinaj ka zhvilluar një takim me strukturat e AAK-së të degës së Vitisë, me rastin e aderimit të qindra anëtarëve të rinj në këtë parti.

Në fillim të fjalimit, kryeministri ka thënë se kërkesat e qytetarëve do të përmbushen dhe lidhja e Vitisë me autostradë do të bëhet.

“Ne e kemi aprovimin e ministrit Lekaj dhe të tjerëve, kjo çështje do kohë por do të ndodhë, duhet t’i ndajmë disa para por me rëndësi projekti do të kryhet megjithëse është lidhje e re që duhet të bëhet.”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka bërë të ditur se sipas projektit lidhja do të bëhet në Gërlicë. /Ballkani.info/