Ish-kryeministri i Kosovës, tani kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj i është drejtuar kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani pas arritjes së marrëveshjes për gazin mes BE-së dhe SHBA-së.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se tani Kosova duhet t’i hap rrugë gazit amerikan.
“Për fat të keq, Qeveria e Kosovës, pa asnjë arsye të qëndrueshme, e kishte refuzuar gazin e lëngshëm amerikan, edhe pse gazsjellësi do të ndërtohej me paratë e taksapaguesve amerikan. Për më keq edhe presidentja e vendit, nuk ka pasur kurajon ta thotë qoftë edhe një fjalë të vetme, për një projekt ekonomik e të sigurisë për Kosovën e rajonin, të miratuar nga vet Presidenti Biden”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se shpreson që konceptet e Kurtit dhe Osmanit në lidhje me këtë çështje të ndryshojnë pa asnjë vonesë dhe t’i hapet rrugë gazsjellësit në fjalë.
Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Gazpromi rus ka vdekur, hapni rrugë gazit amerikan
BE, megjithëse me vonesë, e paska nënshkruar marrëveshjen e madhe për gazin e lëngshëm amerikan, projekt ky që e shkëputë Evropën nga varësia e gazit rus.
Për fat të keq, Qeveria e Kosovës, pa asnjë arsye të qëndrueshme, e kishte refuzuar gazin e lëngshëm amerikan, edhe pse gazsjellësi do të ndërtohej me paratë e taksapaguesve amerikan.
Për më keq edhe presidentja e vendit, nuk ka pasur kurajon ta thotë qoftë edhe një fjalë të vetme, për një projekt ekonomik e të sigurisë për Kosovën e rajonin, të miratuar nga vet Presidenti Biden!
Tash që kanë ndryshuar konceptet e të gjithë botës demokratike për Rusinë dhe gazin rus, shpresoj të ndryshojnë edhe konceptet e kryeministrit e të presidentes të Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrim dhe urgjentisht e pa asnjë vonesë t’i hapin rrugë projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë!
Gazpromi rus ka vdekur, prandaj mos e vajtoni më!.






