Haradinaj: Gjatë vitit 2018 janë rritur investimet kapitale në komuna për 40 milionë euro

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim pune kryetarët e komunave të Kosovës në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri – Komuna”.

Haradinaj ka thënë 2019-ta do të jetë vit i ekonomisë, i cili sipas tij do të reflektojë fuqishëm edhe në zhvillimin ekonomik lokal.

Kryeministri ka theksuar se përgjatë vitit 2018 janë rritur investimet kapitale në komuna për 40 milionë euro.

Postimi i plotë:

Viti i Ekonomisë do të reflektojë fuqishëm edhe në zhvillimin ekonomik lokal.

Përgjatë vitit 2018 janë rritur investimet kapitale në komunat tona për 40 milionë euro, u janë dhënë në pronësi tokë (rreth 60 prona) për zhvillim ekonomik dhe për nevojat e qytetarëve, Obiliqin dhe Prishtinën i bëmë me ligj, qytetarëve të kryeqytetit ia rikthyem Pallatin e Rinisë, kemi krijuar 15 Zona Ekonomike, Parkun Inovativ Trajnues në Prizren dhe Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane në Gjakovë.

Për ta vazhduar traditën e vendosur të punës ndërmjet qeverisjes nacionale dhe lokale, e cila ka prodhuar rezultate të qëndrueshme, sot, në forumin konsultativ me kryetarët e komunave kemi shqyrtuar agjendën zhvillimore të vitit 2019, që synon një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht dhe me mirëqenie për qytetarët e saj.