Haradinaj flet për ministrat që s’u betuan si deputetë për të ruajtur mandatin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur për ministrat në detyrë, që janë zgjedhur edhe deputetë, por, që nuk kanë dorëzuar ende mandatin.

Haradinaj ka thënë se nga kabineti qeveritar janë vetëm dy ministra që deri më tani kanë paraqitur dorëheqjen.

Të tjetër janë duke vazhduar në pozitat që kanë në qeverinë Haradinaj, që tash e sa muaj po funksionon si qeveri e dorëhequr.

Haradinaj thotë se nuk është në detyrën e tij që të vendosë se a do të dorëzojnë mandatin për t’u betuar si deputetë të Kuvendit.

“Unë kam qenë i zgjedhur deputet vetë, kam vendos menjëherë pas zgjedhjeve që me e liru postin. Kam dorëzu shkresa zyrtare të dorëheqjes për vete. Deri tani kanë paraqit dorëheqjen z.Hamza dhe z.Rasim Demiri, ministrat tjerë nuk kanë paraqit dorëheqje, nuk është në detyrën teme. E di që nëse ni deputet e jep betimin, s’mundet t’i ushtrojë dy funksione. Përderisa nuk e ka dhënë betimin nuk e di çka do të ndodhë me deputetin, në fund të fundit janë të gjithë njerëz politik. Shtir për mu me i detyru për një vendim të caktuar”, ka deklaruar ai.