Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar për Ballkani.info se partia e tij nuk do të hyjë në koalicione parazgjedhore me LDK-në apo PDK-në, pavarësisht se një mundësi e tillë ka ekzistuar.

Ai tha se tashmë është shumë vonë për marrëveshje të tilla, pasi vendi gjendet shumë afër zgjedhjeve.

Haradinaj theksoi se AAK ka qenë e gatshme për bashkëpunim me opozitën më herët, por në këtë fazë nuk do të ndërmarrin hapa që mund të “befasojnë votuesit, organizuesit dhe të gjithë të përfshirët” në procesin zgjedhor.

“Ka mundësi për koalicion me LDK dhe PDK, por jo kësaj here pasi që jemi shumë afër zgjedhjeve. Ne kemi qenë të gatshëm për bashkëpunim me opozitën me kohë, por tani nuk ka mundësi… është dashur më herët, tash jemi vonë, si me PDK-në, si me LDK-në jemi vonë”, u shpreh Haradinaj.

Ai konfirmoi se AAK tashmë është përcaktuar të garojë e vetme në zgjedhje, mirëpo nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimeve pas procesit zgjedhor.

“Kjo nuk nënkupton që ne nuk do të bashkëpunojmë pas zgjedhjeve”, shtoi ai. /Ballkani.info/