Haradinaj: Edhe sot, edhe nesër largohemi nga qeveria nëse preket interesi i Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se subjekti i tij nuk voton asnjë kandidat tjetër për president përveç Ramush Haradinajt.

Haradinaj ka folur edhe për dorëzimin e dorëheqjeve të dy ministrave të AAK-së pak para nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington.

“Dje, sot e nesër do të largohemi nga qeveria nëse preket interesi i Kosovës. Pra, ne nuk kemi asnjë përplasje me LDK-në, me kryeministrin Hoti në qeverisjen e brendshme, por kur vjen puna të interesi kombëtar, atëherë për ne nuk ka dilema që dalim nga qeveria“, ka thënë Haradinaj në T7, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, minishengeni dhe Ujmani kanë qenë lëshime të Kosovës në Uashington. „Kemi pasur vërejtje pse nuk kenë ngulur këmbë të largohen këto pika pas heqjes së pikës 10 për njohje reciproke. Kanë qenë kompromise nga ana jonë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka bërë thirrje për bashkim të skenës politike për punën e dialogut.

“Përmbajtja është më e rëndësishme se sa ai që e nënshkruan. Jemi në përfundim të procesit të dialogut. Liderët e të gjitha partive duhet të bashkohen që të dalim me një qëndrim të përbashkët”, tha ai.