Haradinaj e quan lajm të mirë miratimin e rezolutës për vëllezërit Bytyqi, ka një mesazh për serbët

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë për vendin miratimin e rezolutës për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi nga Senati amerikan.

Lidhur me këtë, Haradinaj ka shkruar në Facebook, ku ka kërkuar nga autoritet serbe që të pranojnë se vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve është rruga e vetme drejt paqes dhe drejtësisë.

Postimi i plotë:

Miratimi në mënyrë unanime i Rezolutës për vëllëzërit Bytyqi, nga Kongresi Amerikan, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.

Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfishtë që i bëhet familjes Bytyqi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri.

Kjo rezolutë, e miratuar nga ShBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.

I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, që ta pranojë këtë realitet dhe mos të fshehin faktet dhe kriminelët, por të distancohen nga ta dhe ti hapin rrugë drejtësisë.

loading…