Haradinaj do të themelojë Zyrë për Diasporën dhe do t’i rris kapacitet e administratës në Prishtinë

Diaspora është potencial i madh i Kosovës ekonomik, por edhe pasuri njerëzore. Megjithatë, përkundër dashurisë që qytetarët e Kosovës e kanë për diasporën, institucionet shpeshherë kanë dështuar ta trajtojë ashtu si e meriton dhe si duhet të trajtohen bashkatdhetarët që nuk jetojnë në Kosovë.

Edhe Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, nuk ka bërë asgjë të veçantë që diaspora t’i kalojë në rehati pushimet e verës dhe të dimrit. Si pasojë e kësaj, bashkatdhetarët dalin jashtë Prishtinës, në qytete të tjera të Kosovës, apo edhe udhëtojnë drejt Shqipërisë në pjesën më të madhe të kohës së tyre të pushimit.

Daut Haradinaj, kandidati për kryetar të Prishtinës, i ka menduar disa opsione që diasporës t’ia lehtësojë kohën në Kosovë gjatë pushimeve, por edhe gjatë kohës kur ata kërkojnë dokumentacion të ndryshëm në institucionet komunale.

Si pikë e parë e planit të Haradinajt, do të jetë themelimi i një zyre për diasporën, e cila do të jetë në shërbim të kërkesave të bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë Kosovës – dhe e cila do t’i trajtojë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me diasporën.

Po ashtu, Haradinaj planifikon edhe zgjatjen e orarit dhe dyfishimin e stafit në administratë gjatë që shërbimet të jenë më të gjata, më efikase dhe më të shpejta kur bashkatdhetarët janë në Kosovë. Zakonisht bashkatdhetarët shfrytëzojnë kohën e shkurtër të verës për t’u pajisur me dokumentacionin të shtetit të Kosovës, duke krijuar guzhma dhe radhë të gjata të pritjeve. Kjo gjë mund të rregullohet sipas programit qeverisës të Haradinajt.

Një tjetër gjë që Daut Haradinaj do ta bëj si kryetar i Prishtinës për diasporën, ka të bëj me organizimin e aktiviteteve kulturore-artistike, të cilat do të jenë një letërnjoftim i Kosovës në sytë e të rinjve shqiptarë që po rriten në diasporë. Këto ngjarje do ta paraqesin në formë arti kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Daut Haradinaj është duke vazhduar me takimet e tij të përditshme me banorët e kryeqytetit.