Haradinaj deklarohet për herë të parë pas humbjes së zgjedhjeve, numëron disa nga gabimet

Kryeministri në detyrë, njëherësh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin ‘Debat Plus’ me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, është deklaruar rreth rezultatit të AAK-së në zgjedhjet parlamentare, të cilat janë mbajtur më 6 tetor.

Haradinaj ka thënë se më 6 tetor Kosova e ka dhënë provimin si demokraci, teksa ka shtuar se rezultati i 6 tetorit nuk është ai që e kanë pritur.

“Nuk mundemi me anashkalu që Kosova e ka dhënë provimin si demokraci. Kemi dhënë provën më të mirë të një demokracie të pjekur. Rezultati është ai që e ka dhënë sovrani. Pra për Aleancën është rreth 12 për qind të votave. Nuk është rezultati i pritur ose i synuar, megjithatë kemi qenë në dijeni për vështirësitë që na presin përpara”, ka thënë ai.

Haradinaj përmendi disa nga gabimet që mund të kenë bërë, e që sipas tij, ka ndikuar në rezultat.

“Pozicionimi im pra i koalicionit, ka qenë pozicionim i vështirë. Kemi mbrojtur tema të rënda, me thyerje të mëdha, me vështirësi të mëdha. Njëkohësisht koha e gjatë e disa prej nesh, ose mungesa e ndryshimeve përmbajtjesore në qeverisje e ka bërë të vetën. Ne kemi mundur të shtojmë një apo dy për qind, por prapë se prapë shihet se ky ka qenë orientimi i votuesve”, ka pohuar ai.

Po ashtu, kryetari i AAK-së tha se beson se edhe mos dalja e votuesve të Aleancës mund të ketë ndikuar që AAK të mos jetë fituese e zgjedhjeve.

“Ne mendojmë që kemi votues që nuk kanë dalë të votojnë, po ashtu edhe votat e pavlefshme e bëjnë të vetën. Mos dalja e votuesve tanë pra ka ndikuar. Ne kemi rritje të Aleancës, por nuk jemi fitues të zgjedhjeve, pra fitues janë tjerë”, ka thënë ai.

loading…