Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur për taksën prej 10% të vendosur mbi produktet serbe që nga dita e sotme. Ai ka thënë se BE-ja u tregua e pafuqishme ndaj Serbisë, ndërsa ka paralajmëruar masa më të rrepta po që se Serbia nuk ndryshon qasjen.

Haradinaj, ka thënë se Bashkimi Evropian është treguar i pafuqishëm për ta disiplinuar Serbinë, andaj sipas tij, Kosova po shfrytëzon mekanizmat e veta për t’iu kundërvënë agresivitetit diplomatik të Serbisë.

“Nuk e kemi bërë këtë prej dëshirës, por prej zorit. Nëse BE-ja nuk mundet me diciplinu Sebinë. I falënderoj amerikanët, se ata reagun ndaj Serbisë për kërcënimin e familjarëve të pjesëtarëve të FSK-së, por BE-ja është e pafuqishme me disiplinu Serbinë. Kosova nuk është vend pa mekanizma për ta mbrojtur interesin e vet”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj në Klan Kosova tha se Serbia ka futur miliona euro mallra në Kosovë, por përkundër kësaj ka vazhduar me sjelljen e keqe kundër Kosovës.

“Serbia ka futur mallra qindra miliona euro mallra në Kosovë ndërsa veprimet i ka armiqësore kundër Kosovës. Më të rëndat janë kërcënimet e familjeve të FSK-së. Bosnja e ka shfrytëzu çdo rast me pengu Kosovën. Bllokimi i mundësisë së Lëvizjes, arroganca e Republikës Srpska”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj tha se ka pasur konsensus mes të gjitha partive për ta taksuar më shumë Serbinë, derisa ka shtuar se masat mund të shtohen nëse Serbia nuk ndryshon qasjen.

“U pa që kishte konsensus në Qeveri, kishte votë unanime. Pa asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim. Ekzistojnë mallra tjera, që mund të vijnë për t’i zëvendësuar ata. Nuk i rrezikon konsumatorët tonë. Është veprim që do ta godasë vetëm ekonominë serbe. Mund të merren masa edhe më të ashpra, nëse nuk krijohet kujdes se deri në cilën shkallë shkon agresiviteti i Serbisë”, tha ai.