Haradinaj: Ata që kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë

Kryeministri Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Emigrantëve ka kujtuar sakrificën për liri të heronjve të Kosovës, si dhe ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike.

Haradinaj ka thënë se në memorien e shumë brezave të qytetarëve rëndon pesha e emigrimit, qoftë të nxitur nga arsye ekonomike e sociale, por edhe të përndjekur për arsye politike.

Në vazhdim ju sjellim postimin e plotë të kryeministrit Haradinaj:

Në ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, ne i kemi ende të freskëta në kujtesën tonë, pamjet dhe përvojat e gjithsecilit, kur me pak rroba në trup, të pa shpresë dhe të pa ushqyer, kemi mësyrë rrugët pa adresë, të shtyrë nga regjime shtypëse.

Sot, i kujtojmë të gjithë ata njerëz, kudo nëpër botë, që na kanë dalë në ndihmë, për të na dhënë strehim në shtëpitë e tyre, dhe një punë në tokën e tyre.

Po sot, i kujtojmë edhe sakrificën për liri të heronjve dhe luftëtarëve tanë që nga emigracioni iu përgjigjen thirrjes së atdheut në përpjekjet për liri e dinjitet.

Mirënjohës po ashtu vendeve mike për ndihmën e pakursyer, që strehuan në të gjitha kohërat njerëzit tanë.

Jemi dëshmitarë, që shteti i Kosovës, që e kemi krijuar me shumë mund dhe me ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike, është atdhe i të gjithëve dhe shtëpi e ngrohtë për të gjithë!

Ata që dje kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë, kudo që janë, me investime në atdheun e të parëve.