Haradinaj apelon Ministrinë e Shëndetësisë për insulina: Qëllimi i pushtetit është të kujdeset për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë nuk është duke siguruar sasinë e duhur të insulinës për qytetarët që kanë nevojë për të.

Për këtë ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë thirrje MSH-së që të siguroj sasinë e duhur për këtë kategori.

Ndër të tjera Haradinaj ka pyetur se duke ndjekur këtë rrugë çfarë shoqërie dëshirojmë ta ndërtojmë, ku të së sëmurët kronik lejohet të vdesin nga pakujdesia.

Postimi i plotë: 

“Mbi 28 mijë qytetarë të Kosovës, prej tyre mbi 700 fëmijë, janë të regjistruar si marrës të insulinës.

Që nga vitet e para të pasluftës, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasinë e duhur, me ndërprerje të vogla.

E drejta e pacientit me diabet është e garantuar me ligj. Donacionet nga jashtë edhe pse të mirëseardhura, nuk janë zgjidhje e problemit.
Ka tre muaj, që diabetikët nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit. Insulinat mungojnë plotësisht.

Çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Shoqëri ku të sëmurët kronik lejohet të vdesin nga pakujdesia?

Urgjentisht, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë sasinë e duhur të insulinës dhe të ketë strategji të qartë që mos të ketë ndërprerje të këtilla.
Ky është edhe vet qëllimi i pushtetit: të kujdeset për qytetarët”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.