Haradinaj: A i keni sytë në ballë me pa? Kosova është në krizë të rëndë energjetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se Kosova është në një krizë të rëndë energjetike.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se heqja dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjetike me thëngjill, në kohën kur siç u shpreh ai shumë shtete perëndimore po i rikthehen atij, refuzimi që ai e quajti i pakuptimtë i gazit amerikan dhe mungesa e një strategjie energjetike për kapërcimin e kësaj krize, është alarm i kuq se me fillimin e sezonit të dimrit na presin ditë të rënda.

“Kriza globale me gazin dhe karburantet, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, mund siç tha ai ta komplikojë tej mase tregun energjetik evropian dhe mundësinë që Kosova të blejë energji gjatë sezonit të dimrit.  Kjo, ose për shkak të mungesës në treg të energjisë, ose për shkak të çmimeve të papërballueshme për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje ai u shpreh se Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht ta hartojë një “plan krize” me masa konkrete për përballimin e një kolapsi të mundshëm energjetik, me pasoja të paparashikueshme për vendin.

Haradinaj renditi disa gjëra, që sipas tij janë urgjente.

Është urgjente:

– që gjatë sezonit të verës të aftësohen termocentralet e Kosovës, duke u bërë remontet e nevojshme  të blloqeve të tyre;

– që menjëherë e pa vonesë të shikohet mundësia e një “marrëveshjeje krize” me Shqipërinë për shkëmbim të energjisë (të jepet verës e të importohet dimrit);

– të krijohen rezerva të naftës, benzinës dhe gazit;

– të liberalizohet tregu i burimeve konvencionale për ngrohje, së paku deri në mars të vitit të ardhshëm, (thëngjilli dhe lëndët drusore);

– të krijohet një fond emergjent për energjinë dhe ngrohjen për dimër dhe natyrisht të rikthehet çmimi i rrymës atje ku ishte…

Sjellja me komoditet e qeverisë sot, në raport me krizën energjetike në prag, mund të ketë pasoja katastrofike për vendin.

A i keni sytë në ballë me pa?!

Koha është të veprohet tani!