Kamenicë

Haraçi është shkaku i rrahjes në një lokal në Kamenicë, flet pronari

Në një piceri në Kamenicë, e cila do të hapej të premten, pasditen e sotme ka ndodhur një incident ku punëtori i këtij lokali është rrahur nga disa persona.

Pronari i kësaj picerie Mentor Qoqaj ka treguar në Edicionin Special në Klan Kosova se si ka ndodhur i gjithë rasti, derisa ai insiston se të njëjtit persona i kanë kërkuar haraç.

“Para tri ditësh kanë filluar të vijnë disa djem të rinj. Njërin nga ta e njoh që është nga një fshat i Kamenicës, pasi me të kemi punuar dikur bashkë si furrtarë. Më ka parë që jam duke e hapur biznesin dhe fillimisht mi ka lyp 50 euro dhe më pas edhe 20 euro duke më thënë se i duhen për fëmijë. Ia kam dhënë dy herë, sepse e kam njohur dhe më ka ardhur gjynah. Pas dy ditësh ka filluar të më kërcënojë me mesazhe si ‘Duhet t’i mi japësh 200 euro çdo muaj nëse do të punosh në Kamenicë, se ndryshe s’mund të punosh në Kamenicë’”.

“Unë dyshoj që kjo gjë është një çështje me pagesë për shkak se nga familja Qoqaj kanë ardhur për t’iu bërë konkurrencë. Unë dyshoj që dikush i ka shtyrë ata. Unë fare s’kam pasë borxh ndaj tyre dhe as nuk i kam borxh atyre”.

Ai ka thënë se e ka lajmëruar rastin në polici ku derisa po e jepte deklaratën ka ndodhur e gjithë ngjarja në lokalin e tij.

“Kam shkuar për ta lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës në qytetin e Kamenicës. Gjatë bisedës me policinë, ata kishin filluar të ma thyejnë lokalin. Derisa lokali po thyhej unë isha në stacionin policor kur më erdh një mesazh nga punëtori im Bajram Duraj që më tha ‘Eja në lokal se po dojnë me më myt. Kanë ardh me të vra ty’. Unë nuk kam ardhur fare në lokal, sepse nuk më kanë lënë policia për shkak të sigurisë time”

“Policia ka ardhur brenda dy minutave dhe i ka kapur autorët e rastit gjatë rrahjes. E kanë marrë punëtorin tim dhe dy personat që kanë ardhur për të më kërcënuar për të më marrë pare”.

“Punëtorin e kanë sulmuar me gota dhe e kanë goditur me ngrirës. Ky i ka thënë që është thjesht punëtor dhe nuk di asgjë për rastin. Ata nuk kanë folur asgjë me punëtorin, thjesht e kanë goditur dhe i kanë thënë që kanë ardh me mbyt shefin”.

Qoqaj ka thënë se punëtori i lokalit të tij është rrahur brutalisht dhe për pasoja ka marrë lëndim të rëndë në kokë dhe duar.

Ai ka thënë se lokalin e tij do ta hapë gjithsesi të premten, ashtu siç ishte planifikuar, derisa ka thënë se nuk do t’i japë askujt pare për haraç.

“Unë nuk do të largohem nga lokali, por nuk kam pare t’i jap askujt haraç. I kam mesazhet që mi kanë dërguar dhe i kam kamerat në ballë të lokalit”.