Komuna e Prishtinës e ka hapur sot garën për tenderin me vlerë të parashikuar prej afër shtatë milionë euro për projektin që do të ndërlidh lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë.

Afati i fundit për pranimin e ofertave për këtë tender është data 14 gusht.

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, tenderi është titulluar “ndërtimi i ishullit urban Arbëri-Pallati i Rinisë” dhe vlera e parashikuar e kontratës është saktësisht 6.76 milionë euro.

Kompanitë e interesuara të marrin pjesë në tender janë njoftuar që të dërgojnë ofertat përmes platformës së prokurimit online, e-prokurimi.

“Projekti per kete aktivitet per arsye te madhesise se madhe qe permban fajlli , nuk ka mundesi qe te ngarkohet ne platforme. Andaj, secili OE i interesuar mund te vij ta marrë projektin ne zyrat e prokurimit me CD”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Kurse, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në muajin shkurt kishte prezantuar projektin e mbikalimit që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me “Pallatin e Rinisë” dhe hotelin “Grand”.

Sipas Ramës, gjatë këtij muaji do të shpallet thirrja për kompaninë ndërtimore për këtë projekt.

“Gjatë muajit shkurt do të shpallet thirrja për kompaninë ndërtimtore për këtë projekt transformues që zgjidhë shumë probleme për qytetarët e Kryeqytetit. I falënderoj qytetarët për durimin e treguar dhe i informoj se detaje të projektit do të ekspozohen për publik të hënën me 12 shkurt në hollin e ndërtesës së Kryeqytetit në qendër” – ka shkruar kryetari Rama në “Facebook”, duke bashkangjitur pamje të projektit në fjalë.