Hamza: Qeveria cënoi Kushtetutën – pa miratimin e Kuvendit s’mund t’i zbatojë pakot financiare

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, se qeveria s’mund të zbatojë pakot financiare pa miratim nga Parlamenti.

Hamza tutje ka thënë se pozita duhet të tregohet bashkëpunuese, në të kundërtën, bashkëpunimi do të pamundësohet edhe nga opozita në të ardhmen.

“Asnjë qeveri nuk mundet me zbatu pako financiare pa ardhur në Kuvend. Qëllimi jonë është që të kalojmë në çështje konkrete dhe t’i procedojmë projektligjet. Nëse nuk dojna me qenë bashkëpunues, ne mund të gjejmë elemente të ndryshme por realisht janë të pabazuara dhe janë në kundërshtim me interesin e qytetarëve. Qeveria aktuale merr masa, vendime që cënojnë dhe ligjet edhe Kushtetutën. Kemi thirrë dhe vazhdojmë të thërasim për konsensus të brendshëm. Por, në të ardhmen, nëse kërkohet prej neve, ne nuk kemi mundësi me ia dhanë përkrahjen iniciativave të caktuara”, ka thënë Hamza.

Hamza tutje tha se është e udhës që të hidhet në votim mocioni procedural për dy projektligjet e propozuara.

“Kërkoj që të hidhet në votim mocioni procedural për dy projektligjet.  Pra dallimi është që me ligje bëhen punët konkrete. Tema e propozuar me rezolutë është një dokument që mund të diskutojmë, por nuk prodhon efekt legal”, ka thënë Hamza