Muhamet Hamiti

Hamiti: Qeveria krijoi obligime për Kosovën, shtetin po e sheh si të përkohshëm

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se nëpërmjet dialogut me Serbinë, Qeveria Kurti i ka krijuar obligime Kosovës, duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi janë rrugë për krijimin e autonomisë së serbëve.

Ai ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se Qeveria Kurti ka pranuar diçka që thotë se “s’e dimë çka është”, e sipas tij, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të nënkuptonte “sistem vetjak të arsimit, shëndetësisë dhe fuqi më të madhe të pronave”.

“Kurti ka krijuar obligime për Kosovën. Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi janë bërë tashmë obligime edhe për Kosovën e Serbinë, në rrugën e Kosovës për integrim e po ashtu edhe për rrugën e Serbisë…Qeveria i ka pranuar me vonesë mesazhet, s’është hera e parë. Në maj bëheshin vërejtjet e para rreth sjelljes së Qeverisë e paralajmëroheshin masa që tash po i vuajmë”, ka shtuar ai.

Duke folur për kryeministrin Albin Kurti, Hamiti është shprehur se ministrat e kanë shohin Kosovën si shtet të përkohshëm, e për këtë, shtoi se Kurti s’e ka thënë të kundërtën.

“Qeveria po e sheh shtetin si të përkohshëm, ky për mua është rrezik. Kurti s’e tha që shteti është i përhershëm, s’ka njohje de jure për njohje të përkohshëm. Kushtetuta ka qenë aty nga 2008-a e kemi qeveria që ka mandat të fuqishëm dhe po e keqpërdor duke shpërfillur ndjenjat e shqiptarëve që kanë bërë luftë për këtë pavarësi…Ministrat flasin për Kosovën si shtet i përkohshëm”, është shprehur anëtari i partisë opozitare.

Duke folur për LDK-në, Hamiti ka shtuar se partia e tij ka plan politik dhe ekonomik për qeverisje, duke shtuar se po t’i kishte opozita numrat në Kuvend, do ta shkarkonte Qeverinë.

“Ne si LDK kemi punuar, kemi programin politik e ekonomik për Kosovën. I kemi alternativat tonat. Besojmë edhe qytetarët e kanë kërkuar ndryshimin, ndryshimi ka ardhur por po ndodh për keq. Kosova i ka më keq punët në rrafshin ekonomik, po e lëshojnë vendin, varfëria është shtuar… është rritur për 16%. S’ka zhvillime e programe të mëdha, Qeverisë i tepron buxheti, i jep para për të siguruar njëfarë përkrahje…LDK-ja dhe opozita s’i kanë numrat për të rrëzuar Qeverinë, sepse po t’i kishte s’do të rrinte kjo Qeveri as një ditë më tepër”, ka përfunduar ai.