Hamiti për Kurtin: Është kryeministri që ka qëndruar më së gjati për një vizitë në SHBA

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, vlerëson se Albin Kurti është kryeministri që ka qëndruar më së gjati për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hamiti shton se kohëzgjatja nuk është cilësi.

“Niveli i saj deri më tash, së pari është vizitë e gjatë,  unë e kam problem me idenë që kohëzgjatje e vizitës është kualitet, është kryeministri që ka qëndruar më së gjati për një vizitë në SHBA”, është shprehur Hamiti.

“Unë nuk e shoh arsyeje për krekosje, nuk besoj që do të ketë kryeministër, asnjë kryeministër nuk do të përpiqet ta thyejë një rekord dy javësh apo një gjë të tillë në të ardhmen, kohëzgjatja nuk është cilësi. Deri tani nuk ka pasur as transparencë as kur është nisur kryeministri, është paralajmëruar një vizitë e gjatë, po pa dhënë detaje për natyrën e takimeve”, shtoi ai.