LAJMI I FUNDIT

Hallakamë në Serbi, arrestohet kryetari i Sindikatës ushtarake dhe anëtarë tjerë, procesi po cilësohet politik

Kryetari i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, Novica Antiq, është marrë në pyetje në Departamentin e Policisë Kriminale të Kragujevcit, pas së cilës filloi grevën e urisë.

Avokati i tij Sinisha Luniq ka konfirmuar për mediat serbe se Antiq është marrë në pyetje dhe se është lëshuar vendimi për ndalimin e tij deri në 48 orë.

Vëllai i kryetarit të Sindikatës Ushtarak serbe, Vaso Antiq, i tha Danasit se pas seancës, Novica Antiq i tha avokatit të tij se do të hynte në grevë urie, transmeton Ballkani.info.

“Ata ende nuk e kanë përcaktuar kualifikimin e aktit për të cilin po e akuzojnë. Domethënë jo vetëm ai, por edhe të gjithë të tjerët. Është një gjendje konfuze”, tha Vaso Antiq.

 “Do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas. Ai tani po zhvendoset në Novi Sad, ku do të merret në pyetje nga prokurori i lartë publik. Supozojmë se do të transportohen edhe të tjerët që janë në proces në të njëjtën mënyrë, nga sindikata dhe bordi drejtues”, tha Antiq.

Mirëpo, ai theksoi se mendon se ky lloj aksioni është nisur “pak me nxitim”.

“Ka filluar mëngjesin e sotëm, ndoshta pak me nxitim, pasi sot është ditëlindja e Novicës, kështu që mori një simbolikë tjetër”, tha ai.

Ai nuk kishte informacione të sakta se ndaj sa personave në sindikatë është nisur procesi.

“Ne ende nuk kemi qenë në gjendje të përcaktojmë plotësisht. Ne nuk jemi përfaqësues të sindikatës, megjithëse i njohim të gjithë këta njerëz. Ndoshta janë pesë ose gjashtë anëtarë të bordit të drejtorëve në proces”, tha Vaso Antiq për Danas.

Ai paraprakisht ka vlerësuar se po abuzohet me institucionet e sistemit të drejtësisë, duke e vlerësuar këtë arrestim si – politik. Ai shprehet i bindur se lidershipi ushtarak kërkon të emërojë në këtë sindikatë njerëz të rinj, të cilët do të ishin të bindur.

Avokati Sinisha Luniq beson se kjo është një procedurë politike dhe jo ligjore.

– Thelbësore është se kjo është një procedurë politike, sepse tentohet të zëvendësohet lidershipi i zgjedhur ligjërisht i Sindikatës Ushtarak të Serbisë, me qëllim që ata njerëz që udhëheqin sindikatat të zëvendësohen me njerëz që janë besnikë ndaj strukturave të caktuara në ushtri dhe shtetit”,  – theksoi avokati i Novica Antiqit.

Në mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00 filloi bastisja në shtëpinë e Novica Antiqit, si dhe bastisja e anëtarëve të tjerë të sindikatave në mbarë Serbinë. /Ballkani.info/