Nëse nuk do të kishte rritje të përqindjes së daljes në zgjedhjet e 6 tetorit fituese e zgjedhjeve do të ishte PDK-ja, sipas Fisnik Halimit.
Opinionisti Halimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se rritja e daljes në votime në vendet ku PDK-ja tradicionalisht humbte dhe rënia në bastionet e kësaj partie, ka bërë që kjo parti të binte nga pushteti në parti të tretë, pas VV-së e LDK-së.
“Ne patëm rritje të daljes në votime në vendet ku tradicionalisht PDK-ja humb dhe patëm zbritje të numrit të zgjedhësve në bastionet e PDK-së. Të gjitha komunat, nëse nuk gaboj edhe Decani dhe Kacaniku, kanë qenë komunat që kanë pasur trend më të ulët të daljes në zgjedhje në krahasim me tjerat që kanë pasur rritje”, ka thënë ai. “Këtu u krijua humbja e PDK-së, e cila ka qenë pretendente shumë serioze për të fituar. Nëse trendi i daljes të ishte i njëjtë me atë të viteve të kaluara, PDK do të ishte fituese”.
Sipas votave të rregullta, VV-ja prin me 25.49 për qind, LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind e PDK-ja e treta me 21.24 për qind.







