Halimi: Mos koordinimi me aleatët Kosovës i ka prodhuar më shumë pasiguri si dhe imazh negativ

Sibel Halimi, zëdhënës e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar rreth situatës së fundit në veri të Kosovës, duke thënë se politika ka prodhuar më shumë pasiguri dhe imazh negativ.

Halimi ka radhitur disa pika përmes të cilave ka treguar për rezultatet e shkaktuara në Kosovë për shkak të tensioneve në veri, duke thënë se, Kosova është bërë vend tensionesh ndëretnike me tendencë përshkallëzimi permanent.

Po ashtu, ajo ka përmendur edhe gazetarët e sulmuar nga serbët në veri dhe masat ndaj mediave nga ana e qeverisë.

Postimi i plotë:

Në këtë situatë mos koordinimi me aleatët, Kosova politike ka prodhuar më shumë pasiguri si dhe imazh negativ:

1. Vend tensionesh ndëretnike me tendencë përshkallëzimi permanent, i pasigurt për investime;

2. Policë afër pensionimit, të kidnapuar nga xhandarmëria Serbe;

3. Gazetarë të sulmuar nga huliganë serb në veri dhe masa administrative ndaj mediave, si mekanizma frikësimi në Prishtinë;

4. Një kryetar komune i ngujuar në zyre dhe subjekt tallje në rrjete sociale;

5. Nën masa ndëshkuese përmes instrumente paralajmëruese nga ShBA dhe BE;

6. Përjashtimi i FSK nga stërvitja me NATO-n, “Defender Europe 2023’;

7. Mospjesëmarrje e Ambasadorëve të shteteve mike në pritjen shtetërore me rastin e çlirimit dhe

8. Kosova nën masa diplomatike të trajtimit me heshtje!