Halimi i reagon Pacollit: Partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar lidhur me deklaratën skandaloze të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i kontrollonte mediat.

Halimi ka thënë se partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë.

“Në shoqëritë demokratike mediat janë pasqyrë e qeverisjes së mirë, mirëpo, për partinë në pushtet është ballafaqimi i vërtetë i realitetit të hidhur, e cila vështirë të pranohet.   Partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë”.

Ky është reagimi i plotë i Halimit:

Gazetarët në Kosovë sot ballafaqohen me probleme nga më të ndryshme.  Kërcënimet, shantazhet e madje edhe sulmet fizike janë bërë përditshmëri për punën e tyre. Mirëpo, përkundër sfidave të ndryshme, gazetarët e bëjnë të mundur jetësimin e vlerave fundamentale të lirisë së shprehjes.  Falë sensit qytetar dhe guximit të tyre për të kritikuar, bëhen zëri më i artikuluar i problemeve që sot i kanë qytetarët e vendit.

Derisa, fatkeqësisht sulmi ndaj medieve është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik. Praktikë kjo, e njohur, kur një qeverisje demonstron paaftësi, gjithmonë bartë problemin tek mediat. Në shoqëritë demokratike mediat janë pasqyrë e qeverisjes së mirë, mirëpo, për partinë në pushtet është ballafaqimi i vërtetë i realitetit të hidhur, e cila vështirë të pranohet.

Partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë.