Haki Abazi përballë Donika Gërvallës: E pyet për mungesën e njohjeve dhe të anëtarësimeve

Në Komisionin për Punë të Jashtme ka raportuar sot Kryediplomatja Donika Gërvalla. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e ka pyetur atë për mungesën e njohjeve, mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe mungesën e transparencës.

Pas pyetjeve që ajo i ka marrë në Komision, në fund i është drejtuar edhe kryetari i Komisionit, Haki Abazi.

“Kemi ngecje në njohje të reja dhe në diskutimin, por edhe në anëtarësimin direkt në mekanizma ndërkombëtarë, siç është UNESCO, INTERPOL-i, etj”, ka thënë Abazi, duke pyetur ministren nëse kanë ndërmarra masa për efektivitet në këtë drejtim.

“Nëse mund të na tregoni për strategjinë e komunikimit, sepse kemi të bëjmë me një hapësirë të vërejtjeve të zakonshme dhe të pazakonshme, nga qytetarët dhe nga ata që janë të interesuar për punën e Ministrisë së Jashtme, por edhe publikut të gjerë, për mungesën e informacionit për punën e MPJ-së”, tha tutje.

“Sa i përket strategjisë së njohjes, unë ju propozova që të takohemi edhe njëherë gjatë këtij viti dhe ta bisedojmë shtruar. Një pjesë edhe në mënyrë jopublike, pasi është çështje e ndjeshme”, tha Gërvalla.

“Një dyminutësh rreth kësaj teme nuk besoj se do të shërbente as për informim të mirë tuajin, as për t’i shkuar temës në fund”, tha ministrja.

Abazi i tha tutje se pyetja e tij ishte teknike, se a kanë paraparë një “mekanizëm” në ndarjen buxhetore për çështjen e njohjeve.