Haki Abazi për takimin në Washington: Jemi në situatë “hyp se të vrava, zbrit se të vrava”

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka deklaruar se delegacioni i Kosovës që tashmë ka arritur në Washington i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti nuk ka legjitimitet dhe nuk e përfaqëson askënd në Kosovë.

“Në fakt ajo çfarë është e qartë është ajo që e kemi thënë që nga fillimi që njerëzit që janë pjesë e delegacionit nuk e përfaqësojnë absolutisht askënd në Kosovë në kuptimin e legjitimitetit të plotë. Kur kanë arritur në Washington i ka takuar një ambasadore që po qëndron po ashtu kundërligjshëm në Washington DC si përfaqësuese, sepse është e qartë që është në thyerje të ligjit plotësisht”.

“Atë që po ashtu e dimë dhe është e qartë është se agjenda nuk është bërë e ditur dhe në një temë kaq serioze të dialogut me Serbinë është vazhdimësi e sorollatjes politike dhe diplomatike që i ka ndodhur Kosovës me vite të tëra që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Është vazhdim i thellimit të problemit pa nevojë dhe në anën tjetër një përfaqësim jolegjitim, sepse Avdullah Hoti dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nuk e përfaqësojnë votën dhe orientimin e qytetarëve në vazhdimësi”.

Ai në Edicionin Special në Klan Kosova ka thënë se është e turpshme që delegacioni kosovar nuk e di se për çfarë agjende do të bisedojë me palën serbe në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Është e turpshme që njerëzit kanë arritur në Washington dhe nuk e dinë agjendën për të cilën kanë për të biseduar dhe pritet që kjo të bëhet e qartë tek nesër. Unë po flas nga Washingtoni ku kam arritur dje nga New Yorku dhe fushata elektorale këtu është në kulmin e saj. Kemi dëgjuar përplasjet e pafundme ku Kosova nuk do të duhej të ishte në mesin e kësaj faze të fushatës elektorale presidenciale, sepse e bën edhe më të paqartë dhe të pasigurtë sesa në fazat e mëhershme kur kemi thënë që edhe ndarja edhe aspektet ekonomike që mund të bisedohen janë të rrezikshme për fatin e Kosovës në vazhdimësi”.

Por, çfarë pret ai të ndodhë në takimin mes palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë?

“Unë mendoj që ne jemi në një fazë, ose më saktë këta e kanë futur veten në një situatë ‘hyp se të vrava, zbrit se të vrava’. Po erdhe këtu dhe nuk e di agjendën sigurisht se je në mëshirën e asaj se çfarë mund të jetë diskutuar dhe parapërgatitur nga Hashim Thaçi në të kaluarën. Në vazhdimësi po bëhet e qartë që Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë pasë një marrëveshje që e ka sjellë Kosovën në një situatë që çfarëdo që i ofrohet në tavolinë, duke ditur që edhe Avdullah Hoti është pa legjitimitet, e ka të vështirë ta refuzoj. Përndryshe, do të kemi pozicionimin e mëhershëm të Richard Grenell që po nuk pranuat do të bëhen ato që janë konsideruar si kërcënime për tërheqje ose mosvazhdim i ndihmës ekonomike”.

Abazi ka thënë se do të tentohet që të bëhet presion që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila mund të përdoret në fushatën elektorale presidenciale si një sukses.

“Një gjë që mund të them është se me sinjalin që ka dhënë Kosova duke lejuar Serbinë që të aplikojë për kodin telefonik 383 është marrë si precedent, përfshirë edhe dy marrëveshjet e nënshkruara në shpejtësi ku Serbia përfaqësohet nga njerëz të nivelit të rangut reprezentativ të Qeverisë derisa Kosova në nivelin teknik, derisa ka pranuar po ashtu që kodi i Aeroportit të Prishtinës të jetë kodi i vjetër që e ka pasë në ish-Jugosllavi. Krejt këto janë marrë si forma të kompromisit që pala kosovare ka bërë dhe mund të bëjë duke e lejuar që brenda kodit të Serbisë të bëhet marrëveshje ekonomike”.

“Kjo e dëmton rëndë dhe pakthyeshëm interesin e Kosovës dhe nuk duhet lejuar në asnjë formë që një gjë e tillë t’i prezantohet Kosovës si shtet i pavarur, sepse me atë që mund të përkufizohet arrin në një status të pavarësisë ekonomike që e ka Vojvodina sot”.

Ai ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kosovar nuk kanë përvojë të mjaftueshme për një proces të tillë negociator.

“Avdullah Hoti përveç se është i dobët është edhe i paaftë, sepse asnjëherë në jetën e tij nuk ka marrë pjesë në një proces negociator kaq serioz dhe kompleks për të cilin po flasim. Fatkeqësisht asnjëri në delegacionin kosovar nuk kanë përvojë të vetme në negociata ndërkombëtare që mund të përfundojnë realisht me pasoja shumë të rënda për vendin dhe interesin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai.