Zevendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të Departamentit të Shtetit Amerikan i cili demantoi çdo pohim se ka marrëveshje për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë dhe i cila është shpalosur në Uashington.

Abazi është munduar të nxjerrë diçka nga ky reagim teksa ka shpërndarë një deklaratë të vitit 2018, të ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Siguri Nacionale, John Bolton, shkruan lajmi.net.

Në këtë deklaratë, Bolton thoshte se SHBA-të nuk do të kundërshtonin një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë nëse palët pajtohen.

Sidoqoftë, ky postim është përcjellur me shumë komente negative nga njerëzit të cilët ia kanë bërë të qartë Abazit se Bolton nuk është më në pozitën e këshilltarit për siguri, dhe se këtë vend e ka zënë tanimë,  Robert O’Brien.

Megjithatë, në komunikatën e Departamentit të Shtetit thuhet se nuk ka një marrëveshje të tillë dhe nuk ekziston, duke i quajtur spekulime pretendimet se një marrëveshje e tillë ekziston.