Haki Abazi lidhet “live” nga Nju Jorku dhe flet në rolin e ekspertit për zgjedhjet në SHBA

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Haki Abazi, në një lidhje live nga Nju Jorku tregoi votën e tij pro Biden, duke kritikuar politikat e gabuara sipas tij të Donald Trump, që sollën rënie të ekonomisë amerikane.

Sipas Abazit, rritja ekonomike që u vu re në fillim të mandatit të Donald Trump ishte rezultat i drejtpërdrejtë i reformave të fuqishme të ndërmarra nga dyshja Bien-Obama.

Me favorizimin që i bëri vetëm 1 përqindëshit të të pasurve në SHBA dhe politikave të gabuara ekonomike me vende të ndryshme, përfshi Kinën, Trump sipas tij ka zhgënjyer pritshmëritë e amerikanëve.

“Politikat e gabuara të Trump po rezultojnë me një numër shumë të vogël të punësuarish dhe ulje të rrogave. Një gjë që do i kontribuojë humbjes së Trump është marrëdhënia tregtare me Kinën dhe vende të tjera sepse në mënyrë të pakonsultuar ka prishur marrëdhëniet me vende të tjera duke dëmtuar eksportet dhe kanë ndikuar në pamundësinë e shitjes së produkteve të amerikanëve”, tha Abazi për Euronews.

Në katër vitet e drejtimit të Trump u thelluan përçarjet racore mes amerikanëve, ndaj sipas z. Abazi, të votosh kundër Trump është të votosh kundër politikave raciste dhe anti-emigratore.

“Për 4 vite shoqëria amerikane ka ardhur në buzë të një përplasjeje, ku për herë të parë janë mbyllur dyqanet dhe njerëzit kanë frikë të shprehin votën e tyre. Shqiptarët duhet të përcaktohet drejt për politikat, sepse as vetë republikanët s’e kanë përkrahur Trump.

Ka një anë, që ka mbështetur shqiptarët dhe Kosovën dhe Trump që me politikën e tij i ka bërë dëmin më të madh shoqërisë amerikane. Ne në Ballkan kemi provuar shumë histori dhe kjo mund t’i ngjasojë një përplasjeje që vështirë t’i kthehet normalitetit”, tha Abazi.