Haki Abazi: Fatkeqësisht procesi i dialogut nuk do të përfundojë shumë shpejt

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, nuk mendon se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do ta ketë një përmbyllje në një afat të shpejt kohor.

Sipas tij, Serbia do mundohet në çdo formë, ta vështirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë.

“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të përfundojë shumë shpejt fatkeqësisht. Jam i bindur që strategjitë janë të llojllojshme të cilat Serbia është duke i përdorur. Por, ajo kryesorja është pikërisht që qytetarëve të Kosovës t’u bëhet sa më e vështirë jeta këtu, që Kosova të mos ketë kapacitete intelektuale e njerëzore për të arritur në pikën ku shteti është ndërtuar dhe tani duhet të funksionojë”, deklaroi në Tëvë1.

I pyetur se a ka ndryshuar kryeministri Kurti në raport me zhvillimet e fundit, deputeti tha se tani është e pamundur që për dy vitet e fundit të kultivohet ideja e dialogut me formatin që ka qenë.

“Qysh në fillim është dashur të caktohen kriteret dhe koordinatat e dialogut të ri, sepse ndodhën ndryshime në Kosovë, ndryshime të cilat erdhën edhe si rezultat i gabimeve të qeverive të kaluara dialog”, theksoi Abazi .