Hakerët që përfituan miliona
Dukej sikur një ueb-sajt i zakonshëm, por forumi Infraud, tani jashtë funksionit, iu kishte sjellë fitime prej qindra milionë dollarësh shumë shfrytëzuesve të tyre, përmes aktiviteteve ilegale.
Ndër shfrytëzuesit e parë të tij ishin edhe kosovarët Liridon Musliu dhe Besart Hoxha, derisa dyshohet se përmes këtij forumi, kishin shitur të dhënat e kredit kartelave, të cilat siguroheshin në rrugë të paligjshme, raporton KTV.
Hoxha edhe Musliu ishin arrestuar në muajin shkurt, në kuadër të një operacioni që ishte zhvilluar në disa shtete të botës, ku ishte shtrirë organizata.
Ministria e Drejtësisë në Kosovë nuk ka pranuar të japë informacione lidhur me atë nëse Hoxha e Musliu janë ekstraduar në SHBA.
Sergey Medvedev, njëri prej bashkëthemeluesve të forumit Infraud, ishte arrestuar në Tajlandë, e atij i ishin gjetur edhe kuletat elektronike, në të cilat kishte hiq më pak se 100 mijë Bitcoin, vlera e të cilëve arrinte në mbi 800 milionë dollarë.Fitimet, siç thuhet edhe në aktakuzë, shumica e të akuzuarve i kishin në valuta digjitale.
Në mesin e aktiviteteve që kishin realizuar të akuzuarit, ishin shitja dhe blerja e të dhënave të numrave të sigurimit, të dhënave personale, kreditkartelave dhe materialeve për klonimin e tyre.
Dëmi që anëtarët e organizatës llogaritej se kishin shkaktuar shkonte në gjysmë miliardi dollarë, e përfitimet që kanë pasur të akuzuarit, shkojnë në qindra milionë.