Hajriz Koca ngrit padi ndaj Agjencisë Kundër Korrupsionit, thotë se emërimi i tij në MIN nuk paraqet konflikt interesi

Përzgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm në ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është bërë në kundërshtim me ligjin dhe i njëjti duhet të dorëhiqet. Kështu thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korripsonit. Por, këtë vendim nuk e ka në plan ta zbatojë Koca.

Hajriz Koca, sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë gjatë ditës së sotme ka bërë padi penale kundër Agjencisë Kundër Korrupsionit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Koca ka bërë me dije se këtë padi e ka bërë duke kundërshtuar vendimin e saj për konflikt Interesi.

“Ekziston konflikti i interesit në rastin për Hajriz Koca, sekretar në ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për shkak se deri para se të zgjidhej dhe emërohej në këtë pozitë i njëjti ishte Këshilltar politik i Ministrit të po kësaj Ministrie. Kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Agjencia do të kërkojë nga institucioni ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të fillojë procedurat për shkarkimin e tij”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Më poshtë mund ta shihni deklaratën e plotë të Hajriz Koca :

Ne lidhje me Vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për konflikt interesi, ju informoj se duke shfrytëzuar të drejtën time ligjore, sot kam bërë Padi për konflikt administrative kundër Agjencisë Kundër Korrupsionit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kundërshtuar vendimin e saj, për Konflikt Interesi. Këtë vendim e kundërshtoj pasi nuk është në harmoni me dispozitat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të interesit, është i ndikuar dhe jo profesional. Duke u bazuar në Nenin 18 , pika 1.1. e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit i cili flet për: Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike 1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: 1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre; Pra në bazë të këtij neni në cilësinë e Këshilltarit politik të ministrit, mua nuk me kufizohet e drejta për tu emëruar në pozitë menaxhuese, pasi detyrat e mia gjatë ushtrimit të funksionit të Këshilltarit nuk kanë qenë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të punës së institucionit apo të stafit administrativ të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Agjencia Kundër Korrupsionit ka pasur mundësi të jap opinionin e saj para zgjedhjes sime në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarërsisë, por nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afateve ligjore. Edhe pse mbetet që Gjykata ta vërtetojë me faktet në këtë rast, unë besoj që zgjedhja ime në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarërsisë, është bërë në bazë të konkursit publik dhe në harmoni të plotë me të gjitha ligjet të cilat e rregullojnë fushën e shërbimit civil. Për inicimin e padisë kundër Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kam informuar edhe institucionet kompetente të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Hajriz Koca Sekretar i Përgjithshëm Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

loading…