Ka përfunduar seanca në rastin e “Rezervave Shtetërore”, ku një nga të akuzuarit është edhe ministrja në detyrë e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari.

Pas kësaj, Hajdari është ndalur para mediave por duke mos dhënë detaje.

“Këtu jam, nuk ju iki. Siç e vërejtët edhe vetë ishit prezent dhe sot isha në seancën gjyqësore në lidhje me aktakuzën kundër meje nga Prokuroria Speciale në lidhje me çështjen e Rezervës Shtetërore. Përkundër se ndihem krejtësisht e pafajshme se është proces tendencioz nga Prokuroria Speciale duke shkelur çdo procedurë ligjore. Por më e rëndësishmja është të theksoj se qytetarët e Kosovës nuk kanë të brengosen për konsolidim e rezervës shtetërore të cilën e kemi rritur në Qeverinë Kurti II për shumëfish në kohën më të vështirë. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë e në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksport të produkteve bazike në vendin tonë”,deklaroi Hajdari, shkruan lajmi.net.

Hajdari tha se Prokuroria ka shkelur ligjin, përkundër se janë në proces gjyqësor me operatorët ekonomik që nuk kanë përmbushur proceset e tyre.

Tutje Hajdari deklaroi se “Nuk më lejohet të deklarohem tek ju në lidhje me proceset”.