MINT

Hajdari e pranon se në 2022-tën një sasi e rezervave shtetërore u vonua, kritikon edhe hetuesit sot

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një konference për media ka thënë se e mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore.

Gjatë kësaj konference, Hajdari e pranoi që në vitin 2022, një sasi e mallit të rezervave shtetërore është vonuar dhe për këtë është njoftuar Avokatura Shtetërore.

“Në shkurt, qeveria mori vendim që të rrisë buxhetin për rezerva shtetërore dhe mori vendim për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të rezervës shtetërore, sipas Ligjit për Rezerva Shtetërore”.

“Nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore, vetëm 3% e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa, për të cilat vonesa, më 8 qershor është njoftuar Avokatura Shtetërore për inicim të procedurave gjyqësore”, tha Hajdari, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ajo kritikoi njësitet hetuese që sot shkuan në zyrat e MINT-it, ku tha se nuk kanë prezantuar çertifikatë të sigurisë sekrete.

“Si ministre e MINT-it, pres që organet e hetimit të mos e cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë bëhet fjalë për rezerva shtetërore sepse gjatë hetimeve, dokumentet që janë marrë nga policia në MINT janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa Policia e Njësisë Hetuese  nuk ka prezantuar  certifikatë të sigurisë sekrete, pra kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave ka qenë në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, tha Hajdari.