Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, ka publikuar një shkrim kushtuar Daut Haradinajt, duke vlerësuar kontributin e tij, karakterin dhe raportin e gjatë të bashkëpunimit mes tyre.
Sutaj, i cili thotë se me Daut Haradinajn ka qenë mik dhe ka bashkëpunuar për shumë vite, thekson se gjatë organizimit të qindra aktiviteteve ka parë nga afër respektin që qytetarët kanë për të.
Sipas tij, në tubime, protesta, takime, manifestime, akademi përkujtimore dhe ngjarje të ndryshme, Haradinaj është ndalur vazhdimisht nga qytetarët për fotografi dhe biseda.
Në shkrimin e tij, Sutaj e cilëson Haradinajn si një figurë emblematike dhe frymëzim për gjenerata të tëra, duke kujtuar edhe angazhimin e tij në periudhën e luftës dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai veçon gjithashtu mbështetjen dhe këshillat që, sipas tij, Haradinaj ua ka dhënë të rinjve me të cilët ka punuar, duke e përshkruar si një vëlla të madh dhe si një person që i ka trajtuar bashkëpunëtorët si pjesë të familjes.
“Na ka porosit vazhdimisht që të bëjmë kujdes në sjellje dhe të mos bëhemi pjesë e gabimeve”, shkruan Sutaj, duke vlerësuar karakterin dhe ndikimin e Haradinajt tek të rinjtë.
Një pjesë të veçantë të shkrimit, Sutaj ia kushton fotografive të shumta që qytetarë të ndryshëm kanë realizuar me Haradinajn, duke theksuar se një fotografi apo një takim me të nuk e bën atë përgjegjës për veprimet e personave që ka takuar.
Në fund të reagimit të tij, Sutaj shpreh krenarinë për miqësinë dhe bashkëpunimin me Haradinajn, duke theksuar se, sipas tij, komentet dhe kritikat nuk mund ta zbehin figurën e tij.
“Ka qenë frymëzim dhe motiv për ne dhe është edhe sot frymëzim për gjenerata të tëra”, përfundon Sutaj shkrimin e tij kushtuar Daut Haradinajt.







