Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Deçanit, Hajdar Sutaj, ka dalë me një lutje publike për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sutaj thotë se nuk e di nëse ka ndonjë lider tjetër në politikën kosovare si Ramush Haradinaj – një njeri që ka përjetuar tradhti nga individë të cilët i ka veshur me pushtet e privilegje të larta partiake e shtetërore.
“Përfshirë ish-kryeministra (nga radhët e AAK-së), ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, deputetë, nënkryetarë e sekretarë partie në nivel qendror, si dhe udhëheqës të dikastereve të larta qeveritare e persona që kanë përfituar politikisht e ekonomikisht. Por Ramushi ka qëndruar!
Ka qëndruar falë përkrahjes së sinqertë të anëtarëve dhe aktivistëve të partisë – shumica absolute prej tyre pa asnjë përfitim personal. Ai do të qëndrojë gjithmonë, sepse ai dhe familja e tij kanë rrënjë të thella në luftën për liri dhe pavarësi të këtij vendi. Dhe meqë jemi në prag të zgjedhjeve të reja, publikisht do ta lutesha kryetarin Haradinaj, si dhe kryetarët e komunave, mos emëroni kurrë njerëz që s’kanë kontribuar dhe nuk kontribuojnë – as për subjektin e as për vendin”, ka shkruar Sutaj.
Sipas tij, AAK-ja ka shumë djem e vajza të sinqertë e besnikë, të mençur e të përkushtuar – aktivistë dhe familje të devotshme – që meritojnë të udhëheqin!
“Ata meritojnë të jenë brezi i ri dhe i ndritur i subjektit tonë politik (AAK) dhe i institucioneve tona!
Kështu kemi me qenë më të fortë dhe më të suksesshëm në çdo sfidë që na vjen! Sepse kur udhëheqin njerëzit e duhur – me zemër, me integritet dhe me përkushtim – edhe subjekti, edhe vendi ecin përpara me dinjitet dhe besim”, ka shkruar në fund Sutaj. /Ballkani.info/







