Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka reaguar ndaj zhvillimeve politike në vend, duke kritikuar gjuhën përçarëse dhe sulmet politike që, sipas tij, po thellojnë ndarjet në shoqëri.
Përmes një postimi publik, Beqa ka vlerësuar kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamzën, duke thënë se ai përfaqëson një qasje krejtësisht tjetër në politikë.
“Derisa të tjerët, e veçanërisht Kryeministri në detyrë, vazhdojnë me gjuhë përçarëse dhe sulme, duke thelluar ndarjet në shoqëri, Bedri Hamza përfaqëson krejt tjetër qasje: maturi, seriozitet, bashkëpunim, përgjegjësi dhe punë”, ka shkruar Beqa.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e ardhshme janë vendimtare për drejtimin e vendit, duke i paraqitur ato si një përballje mes stabilitetit dhe vazhdimit të krizave politike.
“Prandaj, në këto zgjedhje zgjedhja është më e qartë se kurrë: stabilitet dhe jetë më e mirë për qytetarët, apo vazhdim i bllokadave, izolimit dhe përkeqësimit të jetës. Koha për shtetin dhe qytetarët!”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Hajdar Beqa garon në zgjedhje si kandidat për deputet nga radhët e PDK-së me numrin 28.






