Hafiz Gagica e demanton me fakte Rexhep Qosjen: Rugova asnjëherë nuk kërkoi ndaljen e bombardimeve

Hafiz Gagica, njëri nder bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe aktivist që nga ditët e para të rezistencës paqësore të Kosovës, i ka reaguar ashpër Rexhep Qosjes.

Akademiku Qosja ditë më parë sërish e ka fyer Rugovën, derisa ka shkruar për çmimin Nobel të shkrimitarit pro-serb, Peter Handke.

Gagica e ka dematuar Qosjen me fakte, pasi ky i fundit tha se Rugova kishte kërkuar ndaljen e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.

“Në ditën e mbajtjes së konferencës për shtyp në Romë, unë isha aty dhe me asnjë fjalë apo fjali, qoftë as indirekt, presidenti I. Rugova nuk ka kërkuar që të ndërpriten bombardimet ndaj Serbisë, përkundrazi ka kërkuar të bëhet edhe intervenimi tokësor i NATO-s, për ta shpëtuar pjesën e mbetur të popullatës nga masakrat e paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë kriminale serbe”, ka shkruar Gagica, transmeton Ballkani.info.

Postimi i plotë i Hafiz Gagicës:

Në vend të reagimit:

Profesor akademik, Rexhep Qosja, e ke tepruar me fyerje ndaj presidentit Ibrahim Rugova, është koha ta lër të qetë në Varrin e tij të përjetësisë!

Me keqardhje e lexova shkrim-akuzën e akademik Rexhep Qosjës, njeriut të letrave, të cilin nga brezi im e tutje e kemi respektuar dhe nderuar më shumë se çdo intelektual tjetër shqiptar!

Nuk dua të ndalem tek konstatimet e tij dhe analizën që ia bën “nobelistit” Peter Handke, sepse për këtë kanë folur e shkruar institucionet letrare, akademia e shkencave dhe e arteve, anëtar i të cilës është vetë Prof. Qosja, si dhe personalitete të shumta botërore dhe shqiptare.

Por, dua të ndalem tek akuzat e tij të pandërprera që i ka bërë kundër ish kolegut të tij, Dr. Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës, të cilin e kishte edhe konkurrent politik, përveç atij letrar. Por që Ibrahim Rugova kishte fituar bindshëm kundër tij në garën politike!

Pa u lëshuar në detaje të debateve të së kaluarës, por as në disa çështje tjera, dua t’ia kujtoj profesor Qosjes, se nuk qëndron aspak fakti, se presidenti Ibrahim Rugova ka kërkuar ndalimin e bombardimeve të NATO-s, nga Roma, por as nga Prishtina.

Në ditën e mbajtjes së konferencës për shtyp në Romë, unë isha aty dhe me asnjë fjalë apo fjali, qoftë as indirekt, presidenti I. Rugova nuk ka kërkuar që të ndërpriten bombardimet ndaj Serbisë, përkundrazi ka kërkuar të bëhet edhe intervenimi tokësor i NATO-s, për ta shpëtuar pjesën e mbetur të popullatës nga masakrat e paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë kriminale serbe.

Akademik Rexhep Qosja, do duhej ta vlerësonte faktin më elementar dhe ta pranonte, se presidenti Ibrahim Rugova ishte disa herë i zgjedhuri i popullit shqiptar të Kosovës, gati me plebishit nacional, si lider dhe njeriu i parë i tyre, ani pse R. Qosja mund t’i ketë arsyet e tij personale që po e shtyjnë në vazhdimësi që ta fyej dhe nënçmon Ibrahim Rugovën.

Si intelektual me vlera kombëtare që është, R. Qosja do duhej të paktën ta pranonte faktin, se I. Rugova ishte lider me përmasa kombëtare, i zgjedhur po nga i njëjti populli i cili vetë R. Qosjen e nderon dhe e respekton!

Urrejtja dhe mos toleranca nuk na nxjerrin nga vuajtjet, dhimbjet dhe as nga katrahurat vetanake, por as bashkimi kombëtar nuk bëhet pa pajtim shpirtëror midis nesh, dhe, kësaj fryme duhet t’i prijë urtësia, respekti, dashuria, mirëkuptimi, kritikat parimore dhe jo linçimi kundër njëri tjetrit!

Uroj që profesor Rexhep Qosja, shkrimin tim ta merr si një sugjerim dashamirës, së pari për hir të veprave të tij, por edhe për të mirën tonë kombëtare!

Hafiz Gagica,
Shtuttgart, me 27. 10. 2019

loading…