Ahmet Ismaili

Guvernatori Ismaili në Tiranë: Vitin e ardhshëm do të jemi gati për anëtarësim në SEPA

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në ministerialin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor “BP6 drejt Zonës së Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian (SEPA)”, që është mbajtur në Tiranë.

Aty Ismaili ka shpalosur aktivitetet e BQK-së drejt anëtarësimit në skemën SEPA dhe Sistemit të Pagesave të Bashkimit Evropian – TIPS.

Sipas tij institucioni që drejton ka një plan strategjik që në qendër ka anëtarësimin në SEPA.

“Gjatë vitit të ardhshëm do të jemi gati për anëtarësim në SEPA”, është shprehur Ismaili.

“Brenda mandatit të saj BQK po punon për të arritur atë duhet bërë dhe jemi tejet të motivuar për të përmbushur kuadrin rregullator dhe ligjor, përveç pagesave, për ta harmonizuar atë me standardet e BE-së”.

“Jemi në procesin e zhvillimit të programit të pagesave të menjëhershme duke rritur përdorimin e kodeve QR për transfere ndërkombëtare. Kemi krijaur edhe mundësi për ofruesit jobankarë për të qenë pjesë e sistemit të menjëhershëm të pagesave”, ka shtuar ai.