Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka deklaruar se rregullorja e vjetër e Bankës Qendrore të Kosovës e hartuar nga UNMIK-u, nuk e ka adresuar më parë çështjen e kontrollit të hyrje-daljeve.
I ftuar të martën në “Konfront” të KTV-së, Ismaili ka thënë se me këtë rregullore të hartuar në vitin 2016, është lejuar kalimi i kufirit i transportuesve të mjeteve pa pasur leje nga BQK-ja.
“Rregullorja e kaluar nuk ka folur se si mund të hyjnë dhe si mund të dalin para për rrjedhojë është lejuar edhe një transport i tillë – është lejuar kalimi i kufirit me transportues të mjeteve pa pasur një aprovim nga Banka Qendrore e Kosovës, një gjë e tillë nuk ka qenë e rregulluar dhe tash me rregulloren e re duhet të ketë leje. Kjo ka qenë sfida kryesore që e ka sfiduar në masë të madhe sistemin financiar të vendit. Fakti që rreth 200 milionë euro në një vit e në disa vite 1 miliard në 6-7 vite kanë hyrë dhe nuk kanë shkuar në një bankë të licencuar dhe nuk janë marrë në posedim dhe as nuk janë rimbursuar nëpërmjet një banke e ka qit në pikëpyetje shumë të madhe integritetin e sistemit financiar të vendit”, ka thënë ai.
Me këtë rast, sipas Ismailit është pamundësuar edhe përcjellja e rrjedhjes së parasë dhe shpëlarjes së saj apo financimit të terrorizmit.
“Nuk ka kuptim në 2016-ën kur më 2008 është bërë Kushtetuta, të vazhdohet të referohet një rregullore të UNMIK-ut që ka rregulluar menjëherë pas luftës tranzicionin – kalimin nga marka gjermane. Largimi i asaj reference mos përfshirja në përputhje me Kushtetutën e vendit, ka tjetër hierarki të ligjeve. Përveç që kam mundur të marrë ndonjë shpjegim që ka mund të më neverit, nuk është ndonjë arsye tjetër që unë mund të jap. Mendoj që nuk ka kuptim më 2016 disa vite mbas pavarësisë dhe kushtetutës të referohet në një akt që kushtetuta i mbizotëron. Mos përfshirja në rregulloren e re ne kemi referencë të saktë në Kushtetutën e Kosovës dhe rregullimin ligjor të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
Përdorimi i euros si valutë e vetme, sipas Ismailit nuk do të ketë diskutim si çështje që mund të zgjidhet ndryshe.
“Ka qenë zgjedhje e Kushtetutës përdorimi i një valute dhe ajo është euro-ja, nuk ka as nuk do të ketë diskutime nëse kjo është çështje që mund të zgjidhjet ndryshe prandaj duke qenë të bindur në këtë gjithçka tjetër do të duhej t’i nënshtrohej këtij rregullimi. Pra, mjeti i pagesës është euro-ja, valutat tjera për këmbim nuk janë ndaluar”, është shprehur ai.







