Guvernatori i BQK-së: Do të ulet numri i veturave të paregjistruara

Çështja e mjeteve motorike të pasiguruara në vendin tonë, është shqetësim i vazhdueshëm i industrisë së sigurimeve.

Përfaqësues të Shoqatës së Sigurimeve, thonë se rreth 30 për qind e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike janë të pasiguruara.

Banka Qendrore e Kosovës ka paralajmeruar se deri në fund të qershorit, do të ulet dukshëm numri i automjeteve të paregjistruara në Kosovë.

Banka Qendrore të Kosovës ka paralajmëruar veprime institucionale, të cilat do të ulnin, apo eliminonin në tërësi numrin e madh të automjeteve të paregjistruar në vend. Në një përgjigjje elektronike për Radio Kosovën, zëdhënsi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti thekson se ndryshimi i rregullores është në proces dhe në momentin që do të miratohet, do të publikohet në faqen zyrtare të BQK-së.

Ndërkohë paraprakisht Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti është zotuar se deri në qershor të këtij vitit, nuk do të ketë më automjete të paregjistruara në Kosovë.

“Do të ulet në masë të theksuar numri i tyre. Kemi gjetur bazën ligjore, jemi duke e trajtuar me rregullore dhe pastaj mbi atë rregullore jemi duket bërë përpjekje që t’i ulim automjetet e pasiguruara në rrugët e Kosovës që sot shënon një përqinje të lartë. Shifra zyrtare është 25-30 për qind. Ju sigurojë që në gjashtë mujorin e parë do të ulet përqindja e automjete të pasiguruara. Kjo do të zgjidhet me rregullore dhe do të atakojmë vetëm automjetet e pasigurara”, tha ai.

Ndërsa, Sami Mazreku nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, thotë se numri aq i madh i automjeteve të paregjistruara, paraqet rrezik potencial për pjesëmarrësit e rregullt në trafik në njërën anë, si dhe në anën tjetër mos regjistrimi i gati 30  për qind të automjeteve, shkakton edhe humbje të madhe për buxhetin e Kosovës. Ai thotë se me këtë numër kaq të madh të automjeteve, e që sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, llogaritet të jetë rreth 148 mijë, është e pamundur që Kosova të nisë rrugën për anëtarësimin në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

Ndryshe, që nga pas lufta, kompanitë e sigurimeve në Kosovë, kanë paguar mbi 40 milionë euro dëme për automjetet e pa regjistruara.